Kalaja e Rozafes

Në periudhën e ndërtimit të kështjellës treva banohej nga fisi Ilir i Labeatëve, lundrimtarë e tregtarë të zotë. Në këtë kohë qyteti merr një zhvillim ekonomik, gjë që dëshmohet nga prerja e monedhës në qytet që në vitin 230 p.e.r. Nga monedha mësojmë emrin që ka pasur qyteti në atë kohë, SΚΟΔRΙΝΩΝ. Në vitin 181 p.e.r. bëhet Kryeqytet i Mbretërisë Ilire, me sundimtar Gentin, dhe kishte një shtrirje të madhe në pjesën veriore deri në lumin Naretva (thuhet edhe deri në Friulin e sotëm, në Itali). Gjatë shek. II p.e.r. në kalanë e qytetit zhvillohen luftërat me Romën dhe në vitin 168 pushtohet nga Roma dhe bëhet një nga qendrat e njësive administrative të Perandorisë Romake. Kështjella Rozafa është monumenti historik më antik.
Ajo është vendosur në pikë strategjike për të kontrolluar fushat përreth, hyrjen në liqenin e Shkodrës si dhe kalimin në thellësi të vendit e të Ballkanit në Lindje. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX). Qyteti antik dhe mesjetar shtrihej përkatësisht përreth akropolit, kalasë dhe ishte i mbrojtur edhe me mure të jashtme rrethuese. Pamja e sotme e kështjellës i detyrohet punës që u bë nën drejtimin e venecianëve, ndër të parat punime me karakter të përhershëm, qé ndërtimi i saranxhave në vitin 1394 ku mblidhej uji i shiut me anë ujësjellësve prej gurit të gjallë dhe derdheshin brenda për ta pasur si depozitë në rast rrethimi nga armiku. Këto shihen edhe sot dhe ka ndonjë që ujin e depozituar e ruan aq mirë dhe pastër, sa jo vetëm që mund të pihet, por edhe nuk i lë gjë mangut ujit të pusave të qytetit. Prej viti 1461-1474 vazhdoi forcimi i mureve të kalasë ku punuan mjeshtra vendas dhe dalmat; brenda kësaj kohe u mor pjesa verilindore që ishte pronë e familjes shkodrane Jonima duke i dhënë si shpërblim për këtë, ndërrim tokë afër kishës së Shën Vlashit, ku tani është Hamami.

Kështjella ka një histori të gjatë luftarake dhe te lidhur me qytetin e Shkodrës ka një gojëdhënë popullore e baladë. E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare. Rozafa, nusja e më të voglit ndër tre vëllezër (baca Gjergj), u muros e gjallë në themelet e kalasë,- si këshillë nga një plak tregon legjenda,- si një sakrificë për të ndalur përgjithnjë syrin e keq që shkatërronte muret për çdo natë. Uji gëlqeror që kalon ndër muret e kalasë lidhet, në fantazinë e folklorit, me qumështin e gjirit të Rozafës, kërkesa e së cilës si akord për të pranuar sakrificën ishte lënia e anës së djathtë të trupit «sýnin e djathtë qi t'shoh birin t'em, krahun e djathtë qi ta mbâj, gjinin e djathtë qi ta ushqej, kâmben e djathtë qi me përkûnd djepin» që të kujdesej për të birin e sapolindur.
Brenda mureve antike ka edhe një muzé i kushtuar historisë dhe legjendës së kështjellës. Për toponiminë, balada, sidomos ajo që flet për kalanë e Shkodrës, jep një sërë territoresh. Ato gërshetohen me territorin rreth kështjellës se Rozafatit: Kazenë, Maldunus, ose Valdunus (kodra mbi të cilën ngrihet Rozafati), Zarufe. Të tria këto ekzistojnë edhe sot. Humanisti dhe historiani shqiptar, Marin Barleti me 1504 shkruan në "Rrethimi i Shkodrës": "Na patën rënë në dorë disa shkrime... Ishin shkruar aty në gjuhën popullore se një farë Roza me motrën e vet, të quajtur Fa, qenë themeluesit e parë të Shkodrës e prandaj fortesa e saj quhet Rozafa". Ekziston një variant i baladës, në të cilin gjithçka kryhet nga Roza e Fa sipas veprimeve dhe situatave të baladës së murimit. Por Barleti nuk i përmend situatat dhe nuk e përmend flijimin. Ndoshta sepse ai është monoteist. Mbledhësi i këtij varianti është H. Hecquard dhe për këtë çështje shprehet më hollësisht në një studim Vili Kamsi.
Sipërfaqja prej 3,5 km katrorë. Lartësia mbi nivelin e detit luhatet nga 120 m (hyrja në kështjellë) në 130 m, (zona e sektorit të fundit). Perimetri i mureve është 881 m. Kështjella ndahet në tre sektore (oborre). Më i rëndësishmi është i fundit ku kishte qendrën kapiteneria, ose rezidenca e guvernatorit, e ndërtuar nga venecianët në fillim të shek. XV.

Comments

Popular posts from this blog

Personalitete te njohura nga Shkodra

Trashegimia kulturore e Shkodres

Klima